U mblodh shtabi i emergjencave civile në sallën e Këshillit Bashkiak Mat, pas situatës së krijuar nga tërmeti i mbrëmjes së djeshme me magnitudë 4.7 rihter .Epiqendra e lëkundjeve ishte në fshatin Xibër Bashkia Klos, por lëkundjet u ndjenë shumë edhe në Mat. Kryetari i Shtabit të Emergjencave Civile në Mat, z.Agron Malaj, kërkoi angazhim maksimal nga të gjithë anëtarët e shtabit për të qenë pranë banorëve që mund të kenë probleme. Grupet e punës dhanë informacion në lidhje me identifikimin e të gjitha dëmeve të shkaktuara nga lëkundjet e tërmetit dhe për dhënien e ndihmës për të gjithë familjet ku është e nevojshme në çdo Njësi Administrative. Në Bashkinë Mat, janë evidentuar 67 objekte banimi dhe 7 objekte të institucioneve që kanë pësuar dëmtime të lehta në plasaritje nga tërmeti i mbrëmshëm. Të pranishëm ishin drejtuesit e institucioneve në Bashki dhe drejtuesit e institucioneve qëndrore në nivel vendor.