Përurohet Memoriali i Dëshmorit Halil Gashi dhe pllakada në kujtim të pritjes dhe stërvitjes së kosovarëve në vitin 1999 Tashmë qyteti i Burrelit do të ketë një simbol të luftës së Kosovës. Me iniciativë familjarëve të dëshmorit të rënë gjatë stërvitjes së vullnetarëve kosovarë në Mollza, Halil Gashi nga Ladovica e Prizrenit, dhe me mbështetjen e Bashkisë Mat, u inaugorua sot përmes një ceremonie të veçantë, memoriali i këtyre dy ngjarjeve. Memoriali ka të gdhendur këtë ngjarje si dhe mirënjohjen ndaj ushtrisë shqiptare që përgatitën vullnetar në muajt Mars, Prill, Maj e Qershor 1999, në repartin e Mollzave, të cilët më pas iu bashkuan luftës në Kosovë. Në këtë ditë ishin të pranishëm, Kryetari i Bashkisë Mat, Nezir Rizvani, Kryetari i Këshillit Bashkiak Agim Hysa, nënprefekti i Matit, Nerim Palluçi, ish drejtues të brigadës 28/128-S, ish luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, familjarë të dëshmorit Halil Gashi e qytetar të tjerë.