Bashkia Mat, nënshkroi sot kontratën e projektit të titulluar “Zhvillimi i një skeme të qëndrueshme të mbrojtjes së hapësirave të gjelbërta” me Ambasadën Japoneze, me anë të së cilës Ambasada bën të mundur blerjen e një Autoboti uji dhe një Mini-eskavatori. Shuma e dhuruar është 81,300 Euro ndërsa Bashkia do të financojë 20% të saj.
Projekti është pjesë e programit “Asistenca për Projektet e Sigurisë Njerëzore” të Ambasadës Japoneze në Shqipëri. Për shkak të kushteve pandemike, takimi u zhvillua on-line dhe në të morën pjesë Ambasadori i Japonisë në Shqipëri, z.Takada Mitsuyuki, Kryetari i Bashkisë z. Agron Malaj, si edhe përgjegjësja i Zyrës së Projekteve në Bashkinë Mat znj. Linela Markja (Saliaj).
Në fjalën e tij Ambasadori Takada theksoi ndihmën që shteti i Japonisë ka dhënë për Bashkitë dhe për Shtetin Shqiptar në kuadër të projekteve për sigurinë njerëzore, sektorin e shëndetësisë dhe shkollat. Nga ana tjetër, Kryetari i Bashkisë Mat z.Malaj shprehu mirënjohjen e tij dhe rëndësinë që ky projekt do ketë në mbrojtjen e hapësirave të gjelbërta.