Më 22 prill 2017, grupi botues i revistës “Emathia” organizoi në Pallatin e Kulturës Burrel takimin vjetor me bashkëpunëtorë, mbështetës dhe lexues të revistës “Emathia”, që këtë vit përkonte me 10-vjetorin e daljes në qarkullinm të saj.
Ndër vite këto lloj takimesh grupi botues i ka shoqëruar me veprimtari multikulturore, ku përveç vlerësimit të punës së bashkëpunëtorëve të revistës me trofeun “PENDA BUDI” ka çelur ekspozita dhe ka prezantuar botime të reja në fushën e studimeve historike dhe krijimtarisë letrare.
Takimi i këtij viti ishte menduar t’i kushtohej vlerave të trashëgimisë shpirtërore. Për këtë u afrua partneriteti i Bashkisë Mat me kryetar z. Nezir Rizvani, me gjithë infrastukturën e domosdoshme të Pallatit të Kulturës Burrel, si dhe specialistë e artistë të këtij institucioni me drejtuese znj. Denisa Vata Xhakrosa. Mbështetja financiare u sigurua nga Ministria e Kulturës, ku projekti “EMATHIA” u klasifikua si veprimtari e dobishme në ruajte të folklorit dhe promovimit të vlerave të trashëguara, që ndihmojnë në edukimin e brezave (këtu rol të rëndësishëm pati dhe znj. Adelina Farricii, ish-kryetare e Bashkisë Burrel, cila loboi për mbështetjen financiare të kësaj veprimtarie).
Nën moderimin e z. Sokol Meta, (specialist kulture dhe bashkëpunëtor i revistës) takimin e hapi z. Artan Kurti, drejtues i grupit botues, i cili në fjalën e tij të shkurtër foli për qëllimin e krijimit të revistës “Emathia”, rrugën e saj 10-vjeçare e ndihmuar nga puna e gjurmuesve, studiuesve dhe krijuesve letrarë matjanë e më gjerë. Mes të tjerash ai theksoi:
“E nisëm rrugën e botimit të revistës “Emathia” me dëshirën për të qenë një zë i bartësve të folklorit, të pashkolluar, por që kontributi i tyre mbeti gjallë në shenjtërinë e shpirtit të lindur artist. Këtu na u bashkuan shumë studiues e gjurmues lokalë, të cilët sollën shkrime mbi traditat dhe folklorin e zonave të Matit, rite dhe ceremoniale familjare, ndërtimtari popullore etj.
E nisëm rrugën e botimit të revistës për të risjellë në kohë kontributet shkencore të studiuesve që me shkrimet e tyre memorizuan të dhëna historike e kulturore me vlera kombëtare të zhvilluara në arenën e Matit.
Gjatë rrugëtimit tonë 10-vjeçar bëmë miq shumë studiues, poetë e shkrimtarë nga të gjitha viset shqiptare, që sollën për faqet e revistës shkrime mbi historinë, traditat e vjetra e të reja të popullit tonë, letërsi artistike, studime letrare e gjuhësore etj. Bëmë miq nga trevat fqinje, si Kurbini, Mirdita e Dibra, të cilët na treguan për zhvillimet e tyre historike, rrjedhën e përbashkët të trashëgimisë popullore në mënyrë jetese, këngë, vajtime etj.
10 vitet mbajnë numrin më të vogël dyshifror, por, duke iu referuar sasisë dhe llojshmërisë së shkrimeve të botuara prej nesh, mendoj se kemi dhënë një kontribut shumë të vyer dhe të pakrahasueshëm me botimet e tjerë që promovojnë vlera të trashëgimisë popullore.
Në këto 10 vite janë botuar 2 520 faqe brendi, ku kemi përfshirë rubrika të tilla si arkeologji, etnologji, albanologji, histori, folklor, gjuhësi, studime letrare, art, veprimtari kulturore e sportive, përkujtimore e jubile të rëndësishëm, profile njerëzish që me kontributin e tyre lanë gjurmë në historinë njerëzore të trevës së Matit e më gjerë.
Këtë punë 10-vjeçare nuk e bëmë vetëm, por me ndihmën e shumë personave që në momente kyçe na ndihmuan për të hedhur hapat. Është dita sot që t’i shprehim mirënjohje:
Juristit Avni Shehu, që konkretizoi pa shpërblim njohjen e shoqatës sonë Historike-Kulturore “Dilaver Kurti” me urimin: “Udhë të mbarë!”.
Mirënjohje z. Bedri Hoxha ish-kryetar i bashkisë Klos dhe z. Petrit Hoxha ish-kryetar i Komunës Xibër, që mundësuan daljen e numrit të parë të revistës.
Z. Bardhyl Minxhozi për sponsorizimin e numrit të dytë.
Mirënjohje pafund për z. Ilir LLeshi (Shtypshkronja Ilar), që sponsorizoi 38 numra të revistës sonë deri të numri i fundit.
Gjatë rrugëtimit veprimtaria jonë është mbështetur edhe nga drejtuesit e ish-bashkisë Burrel z. Skënder Lleshi e znj. Adelina Farrici dhe vazhdon të mbështetet nga kryetari aktual i Bashkisë Mat, z. Nezir Rizvani. Jemi mbështetur nga Bashkia Klos me ish-kryetarë z. Bedri Hoxha e z. Ramazan Mjeshtri, sot nga z. Basir Çupa, disa ish-drejtues të komunave Xibër, Macukull, Rukaj etj, si dhe biznesmenë e dashamirës si Asllan Muharremii, Agim Hysa, Liman Gjoka, Kujtim Porja etj.
Në këtë vit jubilar gjej rastin të falenderoj bashkëthemeluesit dhe bashkëpunëtorët e mi në përgatitjen e revistës “Emathia”:
– Studiuesin Rakip Lasku për mësimin e hapave të parë dhe udhëzimet e urta në drejtim të strukturimit profesional e cilësor të revistës.
– Poetin Basir Bushkashi për thithjen e krijimtarisë më të mirë letrare, përfshirjen e lexuesve gjimnazistë dhe tërheqjen e tyre drejt shkrimit letrar.
– Poetin Hamdi Hysuka për formatimin gjuhësor, ndihmesën në korrektësinë e faqosjes së revistës deri në rubrikat e saj.
– Studiuesin Aqif Ymeri, si bashkëudhëtar në terren për mbledhjen e traditave të lashta e dëshmive të freskëta nga bartës të trashëgimisë shpirtërore e materiale.”
Më pas filloi punimet Konferenca “EMATHIA” NË GJURMË TË TRADITAVE FOLKLORIKE NË TREVËN E MATIT”. Kjo konferencë ishte ideuar për të sjellë në kohë dhe përçuar te brezat e rinj traditat e bukura folklorike. Për këtë qëllim referuan:
1. Studiuesi dhe historiani Ferit Këputa mbajti kumtesën: “TRADITAT ILIRO-ARBËRORE NË VESHJET POPULLORE, TË KRAHINËS SË PRELLIT NË MAT”, ku foli fillimisht për zonën e Prellit dhe lidhjet e saj me kulmet e ngjarjeve historike kombëtare e matjane, nga faktet historike të jetës mijëravjeçare te kultura ilire dhe mesjetare kohë këto që kanë lënë vulën në tipologjinë e veshjes së zonës së Prellit, duke u cilësuar nga etnografët si veshje me prejardhje iliro-arbërore.
Duke u ndalur më shumë në veshjen e gruas ai foli për llojin e veshjes të tipit me gunë, elementët e saj përbërës, ku shamia e kokës është tipar i veçantë që e dallon mes formave të tjera: “Karakteristika më interesante është mbajtja e shamisë rrotull. Mënyra e prerjes e rregullimit, e palosjes dhe qëndisjes me lule e flamur që kur e vendos në kokë të duket si diademë dhe kjo nuk është hasur asgjëkundi veçse në krahinën e Prellit. Ajo ashtu si fustanella përngjet si përkrenare ilire dhe veshje mbretërore që nga lashtësia dhe Arbëria deri në ditët tona. Kjo ruan me krenari kohën e Kastriotëve dhe bashkë me kujtime të tjera, në oxhaqe, gurë e male, në 12 kalatë dhe në çdo konak shpreh krenarinë arbërore”.
2. Poeti Hamdi HYSUKA mbajti kumtesën: “KALIMI ME KËNGË NGA NJËRA FAZË E JETËS NË TJETRËN”. Ai e filloi referimin e tij me fjalët: “Jeta do të kishte një emër tjetër nëse nuk njihte gëzim e dhimbje. Për njeriun ajo ka nisur me lindje, vazhdoi martesa, sërish lindje e pastaj vdekja. Nëpërmjet foklorit këto ngjarje të mëdha vijnë në mënyrë origjinale me këngë djepi, këngë dasme e vaje, që përbëjnë rituale jete”.
Në vazhdim ai iu referua etapave të jetës të cilat përshkohen nga ceremoniale të ndryshme duke e ilustruar me këngët që shoqërojnë këto ceremoniale. Në shtjellimin e kumtesës ai u ndal më së shumti te këngët dhe ritet e dasmës matjane, duke krahasuar me ilustrime veprimesh e këngësh dasmën tradicionale me atë që zhvillohet sot. Më tej ai theksoi “Kënga, si e tërë krijimtaria popullore e burimeve folklorike, është zemra, dashuria, mendja dhe shpirti i krijuesit, interpretuesit dhe dëgjuesit. Ndërsa, rituali i martesës është më i bukuri e më i pasuri. Nga ana muzikore ndërtimi i këngëve të ritualit është i thjeshtë dhe i kufizuar. Edhe pse të shkurtëra e të thjeshta, ato janë të bukura dhe shprehëse”.
3. Skulptori Artan Kurti kishte përzgjedhur të fliste për instrumentin e rrallë të laurisë nën titullin: LAURÌA E MATIT, INSTRUMENT I TRADITËS SHPIRTËRORE, (Ndërtimi, zbukurimi dhe interpretuesit e saj). Ai foli mbi llojet e laurive të përdorura, paraqitjen fizike dhe elementët e ndërtimit. Një nga pikat interesante ishte dhe zbukurimi i saj me ornamente gjeometrike e floreale, ngarkesat e motiveve të përdorura dhe teknikat e realizimit të zbukurimeve. Pjesë e rëndësishme dhe që u ndoq me mjaft interes ishte ajo ku ai foli mbi instrumentistët e shumtë që kanë lënë shpirtin e tyre në skenat lokale e kombëtare duke luajtur me instrumentin e laurisë. E rëndësishme është vazhdimësia e mësimit të këtij instrumenti ndër vite nga brezi në brez deri të fëmijët e vegjël që sot përfaqësojnë me sukses folklorin matjan. Këtu ai shtoi: “Vijimësia e këtij instrumenti, me gjithë ulje-ngritjet numerike të interpretuesve, mbetet një instrument i preferuar dhe identifikues i folklorit në Mat. Kjo vijimësi në ditët tona, e institucionalizuar deri në Qendrën Kulturore të Fëmijëve, apo shoqata artistike-kulturore, na lejon të theksojmë se tashmë laurìa në Mat ka shkollën e saj. Këtu brezat e kalojnë mësimin e këtij instrumenti dorë më dorë, duke ruajtur me fanatizëm tipologjinë fizike dhe karakterin interpretues të tij”.
4. Koreografi Sokol Meta mbajti kumtesën: VALLET POPULLORE NË TREVËN E MATIT (TRADITA DHE VAZHDIMËSIA NË DITËT E SOTME). Duke përshkruar llojet dhe mënyrat e kërcimit të valleve të grave ai solli për të pranishmit momentet kur kërceheshin këto valle sipas ceremonialeve me të cilët kishin lidhje. Ai theksoi se “Vallet e grave ndryshojnë nga zona në zonë nga shoqërimi muzikor dhe instrumental. Ka valle që shoqërohen me instrumenta dhe këngë, vetëm me këngë, ose vetëm me instrumeneta, por kemi edhe valle grash midis lojës dhe veprimeve teatrale, që kërcehen pa shoqërim muzikor, me pantomimë ose me belbëzime kënge”.
Një rëndësi të veçantë kishte puna për evidentimin e interpretueseve gra dhe interpretuesve burra , duke përmendur me emra ato që kanë përfaqësuar me dinjitet ndër vite vallet foklorike matjane.
Edhe vallet e burrave ishin të larmishme dhe autoktone. Këtu ai theksoi: “Vallet e burrave nga pikëpamja e përmbajtjes, sipas etnokoreografit Ramazan Bogdani, janë të gjinisë epike, të llojit trimërishte. Ky tipar kushtëzohet nga traditat patriotike të vendasve”. Ajo që është tipar dallues i valleve të burrave të Matit, – theksoi koreografi Meta, -është “Vallja zebekshe”, që përbën një nga vallet më karakteristike të traditës folkloristike të Matit. Emërtimi i saj thuhet se tregon për “zejbegët”, ushtarë, të cilët si kundërshtim të marrjes nizamë e shprehnin revoltën nëpërmjet lëvizjeve të shumta koreografike.
5. Studiuesi Aqif Ymeri mbajti kumtesën: “TRASHËGIMIA SHPIRTËRORE E TREVËS SË MATIT NËPËRMJET REVISTËS “EMATHIA”. Këtë kumtesë ai e mbajti si pjestar e grupit botues dhe pasqyroi punën dhjetë vjeçare në publikimin e shkrimeve që ilustrojnë trashëgiminë shpirtërore, duke e nisur me fjalët: “Gjatë kësaj dekade të veprimtarisë së revistës “Emathia” në hapësirën e gjërë të ruajtjes, rikultivimit, zhvillimit, publikimit dhe promovimit të trashëgimisë së visareve më të vyera të kësaj treve, si doket, zakonet, traditat, resurset materiale e shpirtërore etj, në faqet e saj janë pasqyruar denjësisht një sërë materialesh të gjurmuesve vendorë, që e shndërruan këtë revistë në një organ mjaft të admirueshëm për të gjithë komunitetin matjan e madje në të gjithë hapësirën mbarëkombëtare e më gjërë”.
Më tej ai përmendi autorë dhe shkrimet e tyre në fushën e trashëgimisë shpirtërore, sipa rubrikave të folklorit, ceremonialeve martesore, traditave njerëzore dhe përfaqësimit të grupeve folklorike në skenat lokale e kombëtare. Ai e mbylli kumtesën e tij me bindjes se revista “Emathia” në dhjetë vite, jo vetëm ka paraqitur një panoramë të gjërë veçanërisht matjane, por njëherësh ka ngritur një suport të fuqishëm mbi trashëgiminë tonë të gjithësishme shpirtërore, etnokulturore e historike, ku mund të mbështeten të sigurtë studiuesit tanë në vazhdën e kësaj veprimtarie sa të vyer, aq të nevojshme për ardhmërinë tonë.
* * *
Pas mbajtjes së kumtesave konferencën e përshëndeti znj. Dhurata Çupi Tyli, Deputete e Kuvendit të Shqipërisë, e cila duke përshëndetur punën e mirë në botimin e revistës theksoi se ky është një organ ku pasqyrohen vlera etnografike, historike, kulturore, letrare etj dhe duhet ta mbështesim, sepse është një revistë me moshë të re, por me kontributet që ka dhënë është e krahasueshme me një revistë kombëtare.
– z. Halit Palamani, Prefekt i Qarkut Dibër, përshëndeti punën e bërë në dhjetë vite për botimin e revistës “Emathia” nga grupi botues nën drejtimin e Artan Kurtit dhe gjithë studiuesit, shkrimtarë e poetë që me shkrimet dhe krijimet e tyre kanë mbajtur gjallë këtë revistë dhe njëkohësisht vlerat e trevës së Matit, duke pasqyruar traditat dhe historinë e kësaj treve.
– Znj. Adelina Farrici, ish-kryetare e Bashkisë Burrel, theksoi: kam kënaqësinë të jem në një event që zhvillohet në mënyrë të vazhdueshme në dhjetë vite dhe sot ne kurorëzojmë përvjetorin e një thesari të Matit, i cili u krijua nga Artan Kurti me ndihmën e studiuesve, krijuesve artistë, intelektualvë matjanë, që shkruajnë në këtë revistë dhe bëjnë që Mati dhe historia e tij të jenë kudo të pranishëm, i japin në dorë një thesar të çmuar pushtetit vendor dhe gjithë institucioneve të tjera, që në një moment të caktuar të tregojnë kush është Mati, sepse në se do të tregosh kush është Mati, rekomando revistën “Emathia”.
– Studiuesi dibran, Mevlud Buci, bashkëpunëtor i revistës “Emathia” e përshëndeti veprimtarinë e zhvilluar për nder të 10-vjetorit të revistës, duke u ndalur në bashkëpunimin e mirë ndër vite të qeverisjes vendore, pa dallim ngjyrash partiake, me krijuesit, studiuesit dhe sidomos mbështetjen e revistës “Emathia” nëpërmjet veprimtarive të përbashkëta. Revista i përngjan një të riu që ka mendje filozofi dhe ajo nuk ka vlerën e dhjetë viteve, por të shekujve, sepse pasqyron një madhështi kulturore për të cilën me shumë të drejtë folën studiuesit në konferencën shkencore.
* * *
Më tej veprimtaria vazhdoi me numra të zgjedhur folklorikë nga artistë të Pallatit të Kulturës Burrel, si melodi me instrumenta popullorë dhe këngë epike të kënduar nën shoqërimin e instrumentit të laurisë. Po me instrumenta popullorë luajtën melodi edhe fëmijët e Qendrës Kulturore të Fëmijëve Mat të përgatitur nga Ymer Neli “Artist i Merituar” dhe “Mjeshtër i Madh”.
Kostumet e larmishme të grave të zonës së Matit u prezantuan në këtë veprimtari nga gra e vajza të Gurit të Bardhë, të cilat kërcyen në skenë valle të kënduara. Ndërsa vajza shkollore prezantuan nëpërmjet daljes në skenë vallet dhe kostumet e Klosit, Gurrave, Lisit, Urakës (kostume të katolikeve dhe myslimaneve), Frankthit dhe Prellit.
Në mbyllje të veprimtarisë të pranishmit vizituan ekspozitën “Revista “Emathia” në 10-vite”, ku përfshiheshin dyzet kopertinat me ngjyra të revistës dhe foto nga veprimtaritë e zhvilluara nga grupi botues i revistës me studiues, bashkëpunëtorë e lexues të kësaj reviste. Kjo ekspozitë u bë e mundur falë financimit të stendave nga Ministria e Kulturës dhe mbështetjes së Bashkisë Mat.
* * *
Rrethi i Matit është një trevë e pasur me vlera historike, kulturore, folklorike, etnografike, artistike etj. Një pjesë e tyre njihen, por një pjesë, për shkak të ndryshimit të brezave, janë drejt harresës dhe kërkohet të rikthehen në vëmendjen e banorëve të sotëm të kësaj treve nëpërmjet studimit dhe ekspozimit të tyre.
Nëpërmjet projketit “EMATHIA” u arrit të bëhet evidentimi promovimi dhe vlerësimi i këtyre vlerave të rëndësishme për kulturën dhe rrënjët e Matit. Me anë të këtij projekti u bë i mundur organizimi konferencës shkencore kushtuar vlerave të trashëgimisë jomateriale, ekspozimit të instrumentave muzikorë tradicionalë e kostumeve popullore dhe vazhdimësia e prodhimit të tyre, panair me botime që kanë në përmbajtje evidentimin dhe analizimin e kulturës jomateriale në trevën e Matit, si dhe paraqitja e ekzemplarëve të revistës “Emathia” në 10-vjetorin e daljes në qarkullim.
Veprimtaria u vlerësua nga qindra të pranishëm për seriozitetin në përgatitjen e materialeve të kumtesave, shfaqjen e valleve, këngëve, pjesëve intrumentale, si dhe ekspozitën fotografike: “Revista “Emathia në 10 vite”. Gjithashtu veprimtaria pati jehonë dhe në median lokale: “Mat Televizion”, drejtuesit dhe gazetarët e të cilës përveç përfshirjes në edicionin e lajmeve, përgatitën edhe kronika speciale për të gjithë veprimtarinë, që si shkak kishte 10-vjetorin të daljes në qarkullim të revistës “Emathia”.