HISTORIKU

TABLO E SHKURTËR HISTORIKE PËR KRAHINËN  MAT.

 

Krahina  ose distrikti i Matit me kufijtë aktual të ndarjes administrative sipas vitit 2007, shtrihet në jug të Shqipërisë Veriore dhe kufizohet : Nga veriu me rrethin e Mirditës, nga lindja me rrethin e Dibrës, nga juglindja me rrethin e Bulqizës, nga jugu e jugperëndimi me rrethin e Tiranës dhe nga perëndimi me rrethin e Krujës e të Kurbinit, me një vijë kufitare të përgjithshme 162 km. E tërë sipërfaqja e trevës Matit është 839 km2 dhe shtrihet në njësinë gjeografike të krahinës malore qëndrore dhe ndodhet midis majave si  në veri Maja e Tollës me lartësi 1717 m,  në lindje Maja e Dejës 2246 m  dhe Guri i Vashës me lartësi 1735 m, në jug Qafa e Shtyllës me lartësi 1708,  në perëndim Qafa e Shtamës me lartësi 1245  dhe ne veriperëndim Maja e Larteshit me lartësi 1137 m.

Por kufijtë  e lashtë të trevës Matit ishin shumë më të gjerë se sa sot, në të kanë qenë përfshirë edhe  katër grykët ( Gryka e Qafë -Murrës, Lukanit, Selishtës, Kacnidhë), Lura dhe  Mirdita (Kthella, Përlati) e  deri ne grykëderdhjen e Matit në det.

Përsa i përket relievit të krahinës Matit mund të themi se faktorë të ndryshëm dhe përbërja gjeologjike e strukturës së ndërtimit të shtresave të tokës kanë ndikuar në  thyerjet dhe  larmishmërinë  e tij. Ndaj dhe  pamja e relievit me kodra e male, me lugina, fusha e gryka të thella malore, bëjnë që kjo  njësi fiziko-gjeografike të kategorizohet si  krahinë malore- kodrinore.

Krahina e Matit e parë nga lart të ngjan me pamjen e një oazi të rrethuar me vargmale e mbrojtur nga natyra. Në thyerjen e relievit të saj  ka  ndikuar edhe hidrografia e pasur me burime ujore, me liqene akullnajore, përronj të rrëmbyeshëm me degëzime të shumtë si dhe lumi Mat, gjatësi e të cilit është   115 km.2 Ky lum buron nga kaptina e Martaneshit, përshkon  zonën duke e ndarë territorin e krahinës në dy pjesë  që nga rrjedha e tij e deri në grykëderdhje ku bashkohen dy degët e lumit Fani e më tej  derdhet në Adriatik.

Për të parën herë  emrin e Matit si krahinë, e ndeshim në shekullin XIII 6në vitet 1257 -1258, Pretori i perandorit bizantin Akropolitos, gjatë udhëtimit të tij në viset shqiptare thekson:- se nga Durrësi kalova “nëpër viset e Mates (Matia) dhe së këtejmi në Dibër”.7 Më vonë gjatë shekullit XV krahina e Matit gjendet në trajtën Amathius, Emathja, dhe në trajtën e sotme të evolucionit me emrin Mati, që vjen nga fjala breg lumi, deti. Trajta Mat-i është  trajtë e letrarizuar  e shekullit XIX.

 

Krahina e Matit është  e njohur si brenda vendit por edhe jashtë tij, si një krahinë me vlerat e saj historiko, arkeologjike, etno –kulturore. Mati ka dëshmuar vlera për gjurmimin e studimin e kulturës prehistorike, ilire, arbërore.

 

-Gërmimet arkeologjike të bëra në krahinën e Matit, në  shpellat e Blazit, Nezirit dhe Këputës në zonën Laç- Bruçit në Mat,  gjatë viteve 80 të shekullit XX si  dhe në vitet 2013-2015,  si dhe lënda arkeologjike e përfituar gjatë këtyre gërmimeve kanë dëshmuar se këto shpella kanë vlera unikale mbi  ekzistencën e Matit prehistorik. Shpella e Blazit dhe e Nezirit  kanë dhënë dëshmi  mbi një kulturë  që nis  në  paleolitin e sipërm ( 18.000.p.e.s) e ka patur vijimësi gjatë  epokës neolitit (7000 vjet p.e.s), eneolitit (3500 vjet.p.e.s) dhe periudhës hershme të bronzit (2100 p.e.s)

-Gjatë viteve 60-të  krahina e Matit sidomos lugina përgjatë lumit Mat, Uraka, Bruçi, Klosi, Rreth-Baz, Sanxhaku, Kokërdhoku, u bënë objekt i rëndësishmë ekspeditash arkeologjike.  Deri në fundin e viteve 70-të të shekullit XX, në Mat  rezulton të jenë gërmuar rreth 53 varreza tumulare, këto edhe në zona të tjera si Komsi, Bushkash,Baz,  Muzhakë, Karicë,  Burrel etj, ku janë përfituar  objekte me rëndësi unikale për kulturën ilire, duke e bërë zonën e Matit të hyjë në historinë e kërkimeve arkeologjike shqiptare si një ndër qendrat më të rëndësishme të kulturës ilire në epokën e hekurit në Shqipëri dhe duke e cilësuar këtë kulturë me tipare të veçanta si “kultura ilire e Matit

Shumica e objekteve të gjetura në këto vendvarrime tumulare, si armë, vegla të punës prej bronzi e hekuri, objekte të përdorimit të përditshëm prej qeramike, stoli të gruas ilire, qelqi e qelibari, prej ari e argjendi ndodhen në ekspozitat e fondin e Muzeut Arkeologjik Tiranë, e  janë bërë objekt ekspozimi edhe në vendet e Evropës. Këto objekte dëshmojnë një kulturë të pasur e të zhvilluar në zonën e Matit. Madje kompleksi  i të gjitha stolive të gruas ilire të gjetura në zonën e Matit kanë përcaktuar dhe plotësuar më së miri imazhin  e gruas ilire. Kjo zonë është njohur si një zonë metalifere dhe se  këtu në Mat kanë banuar edhe fisi ilir i pirustëve ( si një fis me shtrirje të gjerë edhe jashtë Matit, në zonën e Mirditës, Pukës, Kukësit). Fis ky  njohur e shquar më së shumti  si luftëtar e metal punues të zotë.

 

-Në Mat kanë ekzistuar  kala e qyteza të hershme mesjetare që kanë shërbyer si një kordon  mbrojtës për të gjithë hapësirën gjeografike të Matit. Ndër to përmendim Kalanë e  Xibrit si një ndër kalatë më të hershme ilire  që daton në  shek.IV-II p.e.s, kalaja e Shkopetit ( shek.V-II p.e.s.), Stelushi  (shek III- VI e.s). Ndërsa të kohës së Skëndërbeut janë kalaja e Petralbës në fshatin  Fshat-Guri i Bardhë, Kalaja  ilire e  Stelushit që shquhet si një fortesë e rëndësishme edhe në epokën e Skënderbeut (shekulli XV e.s.), kalaja e Skëndërbeut në Cërujë dhe qytete të tjera mesjetare si  qyteza e Bruçit, Komsisë, Klisolit, Kurdarisë, Gjoçajve, Ketës, Patin,Suç etj, që kanë dhënë dëshmi të rëndësishme  mbi zhvillimin historiko- kulturor e social të Matit gjatë periudhës mesjetës.

 

-Përsa i përket kulturës hershme mesjetare (arbërore) në Mat gjurmë të kësaj kulture janë konstatuar në disa vendbanime e kala (Stelush, Petralbë etj). Megjithatë është për tu theksuar se  më shumë se 26 qendra arkeologjike të kulturës hershme mesjetare  janë  evidentuara në të gjithë Shqipërinë kryesisht  ato gjenden në Shqipërinë Veriore, nga të cilat 6 qendra  i përkasin krahinës së Matit. Më konkretisht ato janë  Dërjani, Dukagjini, Klosi, Urxalla, Arba (Msuç) dhe Rremulli. Mbi bazën e gjetjeve arkeologjike por edhe të rastit, ka rezultuar se  në Mat gjurmë të kulturës hershme mesjetare arbërore ka edhe në   fshatra të tjera të Matit, si në Laç-Bruç, Cërujë, lagja Mxanë-Macukull, Gjoçaj, Suç etj. Lënda arkeologjike objektet e kulturës arbërore  të gjetura në këto qendra dëshmojnë më së miri kalimin  e vijimësinë kulturore në zonën e Matit nga kultura ilire në atë iliro-arbërore.

 

-Treva e Matit ka shërbyer si bazë e rëndësishme e Shtetit të Arbërit.Madje sipas studiuesit të  mirënjohur shqiptar Dhimitër Shuteriqi, këtu në Mat ka qenë edhe kryeqendra e Arbërit, diku afër Dukagjinit në vendin e quajtur Arba (Msuç) dhe toponimi Albanoi. Ndërsa G.Shtatmuler ndër të tjera thekson se “….krahina e Matit ka qenë hapësira jetësore e shqiptarëve të parë”

 

-Mati është vendorigjina e  Kastriotëve, qendra e principatës së  Gjon Kastriotit, por edhe krahina bazë e shtetit të Skëndërbeut. Ekzistenca e Stelushit si selia e Kastriotëve  e përforcon këtë fakt, por thëniet e M.Barleti dhe shume argumente e dëshmi të tjera përforcojnë më së miri këtë tezë, pamvarësisht pretendimeve të disa studiuesve që përpiqen ta “transferojnë” origjinën e Kastriotëve në krahina të tjera të Shqipërisë.

 

-Mati si pjesë përbërëse  e madje bërthamë e shtetit të Arbërit  ka patur 4 ipeshkvi,1. Ipeshkvia e Arbënit, 2.Ipeshkvia e Stefanakias, (Shqefnit) 3. Ipeshkvia e Kanoniense, (Klosit) 4. Ipeshkvia e Lisit.Ndër qendrat peshkopale më të rëndësishme ka qenë Shqefni i sotëm dhe më pas Dioqeza e Lisit që gjatë shekullit XVI- XVII kishte nën juridiksionin e saj  më shumë se 40 kisha të Matit por edhe të zonave fqinje si Dibra e  Lura, Miridita,  Kurbini.

 

 

-Krahina e Matit është vend i Kuvendeve Kombëtare, si i Kuvendit apo Sinodit kishtar të mbajtur në kishën e  Shën Trinisë-Daznjan-Macukull, në vitin 1462, ku kryepeshkopi i Durrësit Pal Ëngjëlli la të shkruar  formulën e pagëzimit në shqip, Më konkretisht- V’NTE PAGHEZONIT PREMENIT ATIT ET BIRIT ET SPERTIT SENIT” dhe shqipërimi “UN TË PAGËZONJ PËR EMËNIT ATIT E T’BIRIT E T’SHPERTIT SHENJT” 8

Formula e  pagëzimi e shqipëruar  përkon  me dialektin matjan, përbën një rëndësi të veçantë, është një dëshmi e  re mbi shkrimin e gjuhës shqipe në një datim më të hershëm se Meshari i Gjon Buzukut (vitit 1555), që ishte konsideruar si dëshmia e vetme dhe më e hershme e shkrimit të shqipes, E pra mbi këtë  bazë tashmë mund të themi se Mati është vendi  i shkrimit  të parë të shqipes , i “Formulës së Pagëzimit”, i dokumentit të parë të gjuhës shqipe i datuar në vitin 1462. Po kështu përmendim Kuvendin e Lisit, i mbajtur në kishën e Shën Mërisë së Lisit në Nëntor të vitit 1594, Kuvendi i Dukagjinit mbajtur në kishën e Shën Llezhdrit (Lekës) në periudhën 15 Dhjetor1601 -15 Shkurt 1602, ku morën pjesë 2656 delegatë nga 14 krahina të vendi me qëllimin për të organizuar një kryengritje  çlirimtare mbarë shqiptare kundër pushtuesve osmanë.

Kuvende të tjera të rëndësishme të mbajtur nga matjanët në territorin e Matit mund të përmendim   Kuvendin e Qershizës i mbajtur  në Tetor të vitit  1912, nën kryesimin e Ahmet Zogut me qëllimin  për të mobilizuar  të gjithë matjanët për mbrojtjen e  trevës së Shkodrës nga pushtuesit malazes.

Më 10 Korrik të vitit 1911 është mbajtur Kuvendi i Suçit. Ky kuvend  qe një kundërpërgjigje e kërkesës së qeverisë turke për të dërguar rekrutë në ushtrinë turke. Në këtë kuvend u formua komision i  ashtuquajturi “komisioni i 40 –të”  pasi merrnin pjesë përfaqësues nga 40 fshatrat  e Matit, u zgjodh edhe një kryesi prej 12 vetësh. Komision luajti rolin e një qeverie të përkohshme  në Mat  për mobilizimin e udhëheqjen e matjanëve  në kryengritjet e betejat kundër pushtuesve osman deri në shpalljen Pavarësisë  e Shqipërisë.

Kuvendi i Bruçit është një tjetër kuvend i rëndësishëm i matjanëve,  i mbajtur më 26 korrik 1943 dhe pati si qëllim kryesor  sensibilizimin, organizimin e mobilizimin  e mbarë popullit matjan dhe të krahinave fqinje, rreth 3000 forcave luftarake, për një sulm të përbashkët e sa më të shpejtë ndaj garnizoneve  fashiste italiane  të dislokuara në  Mat.  Kuvendi i Bruçit mbetet projektuesi  i  ngjarjes që ka hyrë në histori si Kryengritja Popullore matjane, zhvilluar gjatë 31-Korrik   deri më 28 Gusht të vitit 1943  kundër garnizoneve  italiane  në Burrel, Komsi, Klos, Qaf-Bull dhe në pika të tjera të rrethit Mat.

-Me vlera unikale për rrethin e Matit është prodhimi i barutit. Qysh në epokën e Skëndërbeut  dëshmohet se në Mat kanë ekzistuar 15 diga baruti që prodhonin barut të një cilësie të lartë, që shërbeu si lëndë strategjike për shqiptarët në luftrat çlirimtare kundër ushtrive pushtuese të vendit tonë. Këto diga baruti kanë ekzistuar sidomos në zonën e Klosit, në fshatrat Benj, Bel, Patin,etj deri në vitet e para të shekullit XX atëherë kur u shkatëruan  nga ushtritë turke.

 

-Pozicioni gjeostrategjik i  Matit ndodhur  në kryqëzimin rrugësh të rëndësishme ka bërë që  këtë krahinë  të funksiononin 4  pazare, si pazari i  Komsisë, Lisit, Klosit dhe ai i Dërjanit, pazare të cilat frekuentoheshin që nga Elbasani, Tirana, Kruja, Lezha e Shkodra e deri nga Tetova e Prizreni. Në fshatin Guri i Bardhë dëshmohen gjurmë kaldrëmi të rrugës  më origjinë antike të  Rrugës Arbërit.

 

-Në fushën e kulturës  banesa matjane  përbën karakteristikën në shkallë vendi. Kulla e Matit me variantet e larmishmërinë e saj, tregon dukshëm misionin e saj edhe si vendbanim por edhe si kala e qendër mbrojtjeje.Kulla e Matit  është bërë  objekt studimi i shumë studiuesve të huaj e vëndas ka vlera etnografike të veçanta, e shumica e tyre gëzojnë statusin e monumentit të kulturës.

 

-Në rrethin e Matit janë evidentuar   rreth 16 ura të gurta të tipit venecian, ndërtuar gjatë shekujve XVII-XIX,nga të cilat 9 prej tyre ruhen ende sot në gjendje të mirë e janë funksionale për banorët e trevës tonë.Të tilla si ura e Vashës në Gurë të bardhë, ura e  Halilajve në fshatin Dars, ura e Skurës në Gurë të Bardhë, ura e Hoxhajve në Gurrë të Vogël etj.

 

-Larmishmëria e veshjeve popullore ,sidomos e gruas matjane ku dallohen 6 njësi etnografike, Guri i Bardhë, Prelli, Lisi, Gurra, Bazi e Komsia,ka tërhequr vëmëndjen e studiuesve e vizitorëve të huaj.Këto kostume tradicionale janë përcjellë ndër vite të qëndisura e të stolisura mjaft bukur me fije prej ari e argjendi dhe përbëjnë një veçanti në etnografinë tonë shqiptare.

 

 

– Nëse i referohemi  historisë sonë kombëtare mund të themi se Mati si një krahinë në zemër të Shqipërisë ka nxjerrë nga djepi i saj figura të shquara të historisë  e kulturës sonë kombëtare, duke filluar me heroin tonë kombëtarë, Gjergj Kastriotin Skëndërbe, figura të urtësisë, mendësisë e trimërisë si Kont Urani, Kokë Malçi, Pjetër Përlati,  figura   e Pjetër Budi të  shkrimtarit e themeluesi të  prozës shqipe. Figura e personalitete të  Rilindjes sonë kombëtare, patriotë, arsimdashës, aktivistë e kontribues kryesorë të  çështjes së arsimit e kulturës shqipe,  si Dervish Hima, Ibrahim Temo, Rexhep Pashë Mat, Riza Bej Zogolli,  Ibrahim Dalliu, Jakup Metra, Ahmet Xhetani,  etj, e duke mbërritur tek “Mbreti  Zogu I” që dominoji politikën shqiptare për vite me radhë, duke nisur karrierën e sukseshme në një moshë të re 17 vjeçare deri sa arriti të kurorëzohej mbret,  kurorë të cilën e mbajti për 11 vjet,  e të tjera figura e personalitete të historisë e kulturës kombëtare,   portretet  e të cilëve qëndrojnë në pjedestal, në faqet e historisë  e të shtypit jo vetëm brënda vëndit  por kudo jashtë trojeve shqiptare.

 

-“Matjanët janë njohur për trimërinë,  guximin dhe besnikërinë e tyre” shkruante Sami  Frashëri. Në të vërtetë  burimet historike provojnë  rëndësinë dhe pjesmarrjen e matjanëve  në ngjarje  të rëndësishme të historisë kombëtare, beteja e luftra të cilat janë ruajtur dhe vazhdojnë të ruhen në memorjen tonë kombëtare e lokale.

Përmendim pjemarrjen e 13 delegatëve matjanë në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit ( Korrik 1878), rolin e tyre përfaqësues edhe si anëtarë të delegacionit të jashtëm të Lidhjes, Riza Bej Zogolli si figurë e rëndësishme dhe kryesues i Degës së Lidhjes në Mat. Në kuadër të Lidhjes së  Prizrenit populli  i Matit dha kontribut të çmuar në mbrojtjen e trojeve  shqiptare të Hotit, Grudës, Plavës, Ulqinit, Gucisë . Pjesmarrjen e delegacionit matjan me në krye Ahmet Zogun në Kuvendin e Vlorës,  matjanët dhanë kontibut gjatë shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Po kështu matjanët  u bënë pjesë e pandashme e luftës së popullit shqiptar për liri e pavarësi, për mbrojtjen e pavarësisë dhe integritetit. Gjithashtu dhanë kontribut të çmuar gjatë  Luftës së Dytë Botërore kundër pushtuesve nazi-fashistë ( gjatë  viteve 1939-1944).

 

 

   VËSHTRIM I SHKURTËR HISTORIK PËR QYTETIN  BURREL

 

Distrikti ose rajoni i Matit sipas ndarjes së re administrative të vitit 2015  është e ndarë në dy bashki, Bashkia Mat me qendër administrative Burrelin ku janë të përfshira edhe  8 Njësi Administrative të Matit si Burreli, Bazi,  Ulza, Komsia, Rukaj, Lis, Dërjan,Macukull,  dhe Bashkia Klos me qendër qytezën e Klosit ku përfshihen njësi të tjera administrative të krahinës  apo rrethit Mat si Klosi,  Suç, Gurrë e  Xibër.

 

Burreli si qytetet dhe qendër e Bashkisë Mat shtrihet  mbi një pllajë mbi 300 m  lartësi  në  luginën e mesme  të lumit Mat gati në qendër të krahinës  Mat.

Zona ku shtrihet sot qyteti ka dhënë dëshmi të  rëndësishme mbi  zhvillimin e  një kulture që nis  nga epoka e bronzit ( 2100 p.e.s dhe me vazhdimësi  deri në kohën  e vonë antike shek VI e.s. dhe vijimësi edhe gjatë mesjetës e deri në ditët e sotme.

Trajta e emrit Burrel është një trajtë e letrarizuar  që ka pësuar evolucion e transformim. Burimet historike  japin të dhëna mbi ekzistencën e fshatit  Bujril ose  Burril,  që përfshinte  jo vetëm  qytetin e sotëm Burrelin por edhe  rrethina të tij.

Në vitin 1922 Burreli  u caktua si Bashki  dhe  qendër  e Nënprefekturës Mat dhe fizionomia e tij si qytet  ndryshon gjatë periudhës së Monarkisë Shqiptare (vitet 1928- 1939). atëherë kur filluan të ndërtoheshin edhe institucionet e para si godina e  bashkisë që është edhe sot  funksionale si godina aktuale   e Bashkisë Mat, Nënprefekturë,  burgu , qendër shëndetësore, shtëpitë e banesat e  para dykatëshe, xhamia e qytetit, qendër shëndetësore, kazerma ushtarake, thertore  etj.

Qyteti Burrel trashëgon gjithashtu nga periudha e Monarkisë edhe parkun  ose lulishten  qytetit që mban emrin e Mbretëreshës Geraldina, kjo pasi në  vitet 30 të shekullit XX, në sajë të  iniciativës saj u mbollën në këtë park disa nga bimët dhe drurët më të rrallë të kohës të marra që u sollën nga Australia, Azia  etj.. Në nëntokën e këtij parku  ndodhen edhe disa tunele që  lidhin segmente të tuneleve të tjera që shtrihen në të gjithë qytetin  që janë  të ndërtuara gjatë periudhës socializmit.

 

Burreli quajtur ndryshe si qyteti i mollëve të viteve 60-të të shekullit XX, pati edhe periudhën e ndryshimeve sidomos  gjatë  viteve  70-të dhe -80- të shekullit XX, me  ndërtimin e  institucioneve shtetërore, godinave , pallateve nga katër deri në 6 katëshe, parafabrikate e kullat në qendër të qytetit, dyqane, shkolla,  kopshte e çerdhe, kinemaja,  pallati i kulturës, i sporteve, stadium etj. Godina e  Muzeut Historik i Rrethit Mat i cili ruan, administron, ekspozon disa nga vlerat  historike, arkeologjike, etno-kulturore të trevës Mat, është një objekt kulturore i ndërtuar në vitin 1985 me një infrastrukturë moderne dhe bashkëkohore  me pamje tërheqëse të fasadës së jashtme stil arkitekturor  që ka të kombinuar mjaft bukur elementet e kullës prej guri karakteristike matjane me ato të objekteve të kultit fetar katolik.

 

Brenda në qytet ndodhen edhe dyqane  me punime artizanale dhe suvenire të ndryshme. Nuk mungojnë edhe aktivitetet artistike, kulturore e folklorike me natyrë  promovuese argëtuese gjatë kalendarit vjetor , ku vënd të rëndësishëm zënë datat historike, të  festave kombëtare e lokale, tradicionale etj, si 31 Korriku (si festë lokale matjane e kthyer në një traditë shumëvjeçare), festivali i laurisë, këngës epike e lirike,  etj.

 

Autore

                                                                                             MND   Suzana  KURTI