Bashkia Mat prej katër ditësh po punon në Fshatin Laç dhe në fshatin Bruç, për rivënien në funksion të rrugëve të dëmtuara. Mjetet e Drejtorisë së Shërbimeve, kanë bërë të mundur riparimet e nevojshme në mënyrë që rreth 600 banorë të kenë komunikim me qendrën e njësisë administrative. Tashmë është bërë e mundur rikthimi në funksion të rrugës së fshatit Laç dhe lagjes “Harvataj”. Por jo vetëm kaq, mjeti i bashkisë po punon edhe për ndërtimin e argjinaturave mbrojtëse të lagjeve “Harvataj” në fshatin Laç dhe Likaj e Neziraj të fshatit Bruç në mënyrë që lumi i Shutrresë të mos shkaktojë përmbytje të tokave bujqësore. Banorët janë mirënjohës për ndërhyrjen, ndonëse kërkojnë edhe rivënien në funksion të kanalit vaditës.Shumë shpejt kanali vaditës i Urakës do të rivihet në funksion në pjesën e dëmtuar.